Ambasadorët e rinj për pajtim të Kosovës janë takuar me ata të Serbisë dhe të vendeve të tjera të rajonit në kuadër të një seminari në Beograd. Këshilli i të Rinjve për Arsim dhe Ambasada e Britanisë së Madhe kanë organizuar seminarin me titull “Ambasadorët e rinj për pajtim”. Seminari është mbajtur prej datës 23 deri me 28 dhjetor 2012 në Beograd, ku kanë marr pjesë të rinjtë nga Republika e Kosovës, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë fituar një bursë për të mbuluar shpenzimet e programit, ushqimin, akomodimin si dhe transportin. Gjate qëndrimit ne Beograd pjesëmarrësit nga Republika e Kosovës, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Serbia biseduan lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, lufta në Kosovë, lufta në Bosnje, drejtësia tranzicionale, integrimet evropiane dhe shumë çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve.
Pjesëmarrësit po ashtu kanë vizituar Kuvendin e Serbisë, Prokurorinë Speciale për Krimet e Luftës, Fondin për të Drejtat Humanitare, Agjensionin për Anti-Korrupsion etj.
Sanela Sadikoviç, zyrtare e lartë në Zyrën e Kryeministrit, e cila është edhe ambasadore për pajtim, ishte njëra nga pjesëmarrëset e këtij seminari.
“Ky seminar ka qenë një sfidë e madhe, ky program ka synuar t’u ofroj të rinjve një mundësi për të diskutuar dhe krahasuar përvojat e shoqërive të tyre në procesin e pajtimit”, thotë Sadikoviç.
Në fund të seminarit pjesëmarrësit janë certifikuar dhe u bënë ambasadorët e rinj të pajtimit në rajon.

